Tetë dekadat e jubileut artistik të „Agimi“-t prizerenas-Shkruan: Çerkin BYTYÇI

Fotografia nga programi i korit të Agimit me rastin e shënimit të 40-vjetorit të punës

Prizreni dhe prizrenasit mburren që atyre u përket Shoqëria kulturore artistike „Agimi“ e cila, pa pushuar asnjë çast, që nga viti 1944, duke qenë çerdhe e disa mijëra të të talentuarëve të kulturës, me gjerdane suksesesh, udhëtoi me krenari tashmë tetëdhjetë vite. Vite këto që nuk ishin aspak të lehta mbase përshkoheshin nga fortunat e ashpëra të kohës, të cilat, përpiqeshin ta ndalnin vrullin e jehonës së margaritarëve të kulturës shqipe që guximshëm pushtoi sallat koncentrale në Kosovë e Shqipëri, Turqi e Algjeri, te të gjitha shtetet fqinje dhe ato evropiane e në kontinente tjera.

Atbotë kur vendi kundërmonte ende aromë baruti , atdhetarët e devotshëm, entuziastët e kulturës, ata që qytetin e bartnin në mendjet dhe zemrat e tyre ecjeve në kalldërmën shekullore, vendosën që përvoja e korit në tempullin fetar shqiptar, të merr hov në një shoqëri të organizuar mirë, ku fjala artistike do të shpërthej me gjithë forcën e saj, si kumt fuqiplot, për të bërë me dije se në Shadërvanin e qytetit, buzë Lumëbardhit, nën kalanë shekullore, në qytetin e Lidhjes, në Prizrenin historik, do të këndohet dhe vallëzohet shqip.

Qyteti dhe bujarët e tij, me krahë e zemra të hapura, përqafuan Agimin e agimit artistik, i cili u bë vatër me vlerë të lartësuar ku me këngën dhe vallen, bashkëjetonte e rritej atdhedashuria si një kandil që ndriqonte të ardhmen e liridashësve.

Dhe, Agimi i bardhësive ndër vite, Prizrenit i solli freski kulture, të tillë që nuk e shijoi asnjëherë më parë. Gurgullimës së çezmes së Shadërvanit i bashkangjiteshin edhe tingujt muzikor që e thyenin heshtjen e jetës së të përvuajturëve. Ishin këto xixa shprese, se në Prizren, në Kosovë, dhe jo vetëm, me Agimin, bota kulturore ndryshoi për së mbari dhe u hapën horizonte të reja për rrjedhën më me guxim e të lirë jo vetëm të fjalës artistike.

Agimit të Prizrenit atbotë i parapriu Ekipi kulturor i Komitetit Shqiptar, që, me nismën e

profesorit të shquar, intelektualit dhe atdhetarit të devotshëm Zekeria Rexha, u shndërua në shoqërinë që e gëzoi qytetin. E, në ballë të Agimit, qenë vënë burra të mendjes dhe fjalës, të punës dhe guximit, të devotshëm e t’kalitur me atdhedashuri. Urtaku i dëshmuar edhe në historinë më të re, Anton Çetta, u emërua prijës i parë i Agimit të Prizrenit.

Numri i atyre që zërin pushkë e hapin e vrullshëm nuk i kursenin për të mbarën e Agimit dhe të kulturës, shtohej nga dita në ditë. Rriteshin kori me anëtarë të ri dhe grupi i këngëtarëve të këngëve të vjetra qytetare, ato që shikuesit në sallat e mbushura përplot, i dëgjonin me ëndje. Dirigjentët nuk ndienin lodhje që kori të jet i suksesshëm. Orkestrina që e përbënin të talentuarit e instrumenteve muzikore, ishte dëshmi e një pune me zell e përkushtim që solistët e shumtë i shoqëroi në rrugën e suksesshme drejt estradës kosovare dhe shqiptare në tërësi. Ishin shtyllat e palëkundshme ata që me përkushtim e udhëhoqën orkestrën e sukseseve të mëdha.

Mëse pesëmijë koncerte me këngë popullore, zbavitëse e korale, valle tradicionale e të përpunuara nga koreografët e pasionuar, ndodhen në portofolin dhe kronikohistorinë që Agimin e bëjnë të veçant si Shoqëri kulturore-artistike, kultivuese dhe prezantuese të thesarit të çmueshëm gjithandej të melosit kombëtar.

Agimi ishte edhe çerdhe e orkestrës kamertale, mandolinatës, orkestrës me tamburina, asaj zbavitëse, orkestrës rapsodike, grupit të dramës, seksionit letrar-recitativ, seksionit të pikturës e formave tjera të veprimit.

Agimi i Prizrenit, që përgjatë çdo viti të punës së skalitur me sukses u bë gurrë nga buronin kuadro të kulturës, këngëtarë e artist, dhe mbi të gjitha burim i përparimit dhe emanicipimit të të rejave shqiptare, edhe sot e mëtej vazhdon të frymon me punën që s‘ka të ndalur. Lokalet e kësaj vatre me rol të jashtzakonshëm jo vetëm për kulturën, edhe aktualisht ngjajnë në zgjua bletësh mbase aty, ka gjallëri, punë të reshtur, të pandalshme me efekte shumëdimensionale.

Agimi, si edhe nga dita e parë e para tetë dekadave, mbi supe e bartë idenë e punës së përbashkët, afirmimin e thesarit kulturor, me armatën e vashave dhe djemve që vullnetarisht, në baza tërsisht amatore, vargojnë suksese më shumë se profesionale.

Ky është Agimi, shoqëri, emrin e të cilës ia stolisën me ar gjeneratë pas gjenerate, me sakrificë e krenari, me qëndresë këmbëngulëse para stuhive dhe ballëlart e mburrje iu dha udhë e pandalshme fjalës së fuqishme artistike.

Urime jubileu 80-vjeçar, Agim!

Me ty, udhëton edhe respekti e krenaria prizrenase për margaritarët e tu të të gjitha kohërave që kujtohen me pietet!

(4.10.2024)