Fryma poetike e së mërkurës me poeten:Seti Pezaku VLADI
GJETHJA
————————————
Gjethe hënëz vjeshte kapur me dhëmbë ere,
hedhur maja kreshte, flakur pragje dere.
Dega ku sythove tretet në vetmi,
thahet bëhet dimër, borë edhe veri.
Gjethe hënëze moj, nga po të nget era,
vorbull sofrës qiell, hedhur dherash tjera?!
Akullnajash ike, viseve paditur,
si pëllëmbë dore u ngrite e mërzitur.
Ku të zuri nata, dita ku të zbardhi,
nëpër shtretër krojesh, nëpër shpate zalli?!
Gjethe hënëz nuse, veshur në flori,
humbe mjegullnajash me erën pakufi.
Fati yt cigane, acari sytë t’i lante,
në karvane shirash, era buzët thante.
Nata egërsuar të mori nëpër re,
harrove përqafimin, degës nuk ia dhe!
Ike fluturove, visesh larg paditur,
syri yt lotuar, mbete e nemitur.
/www.QendraPress.com/