Vdes ish-ambasadorja e SHBA-së në Kosovë, Tina Kaidanow
Tina S. Kaidanow, një nga diplomatët më të shquar të qeverisë amerikane, ka ndërruar jetë.
Lajmin e ka bërë të ditur, ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Skender Hyseni.
“Paska ndërruar jetë Tina Kaidanow, ish ambasadore e SHBA-ve në Kosovë. Me Tinën kisha bashkëpunim dhe raporte të ngushta zyrtare. Përtej kësaj ishim edhe miq të mirë. Kontributi dhe angazhimi sistematik i Ambasadores Tina Kaidanow në përgatitjen e Kosovës për shpalljen e pavarësisë ishte dhe mbetet i pazëvendësueshëm. Tina ishte një diplomate dhe grua e fortë e cila Kosovën dhe popullin e saj e donte me gjithë qenien e saj. Lamtumirë Tina. Zoti të bekoftë dhe të pastë shpirti dritë! Prehu në paqe! R.I.P. Ambasadore Tina Kaidanow”, shkroi Hyseni.
Kaidanow shërbeu në një sërë pozicionesh të larta në Departamentin e Shtetit dhe atë të Mbrojtjes, duke luajtur një rol të rëndësishëm në politikën e jashtme dhe sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.
Ishte e njohur për punën e saj si ambasadore e SHBA-së në Kosovë nga viti 2008 deri në 2009, ku shërbeu si ambasadorja e parë amerikane pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Më pas vazhdoi të ngjitej në hierarkinë diplomatike, duke u emëruar Ndihmës Sekretare e Shtetit për Çështjet Politiko-Ushtarake në vitin 2016.
Gjatë karrierës së saj, ajo luajti një rol kyç në ndërmjetësimin e marrëdhënieve të sigurisë mes SHBA-së dhe vendeve të tjera, duke përfshirë transferimin e miliarda dollarëve në asistencë ndërkombëtare për sigurinë.
Kaidanow gjithashtu drejtoi negociatat për marrëveshjet ndërkombëtare të sigurisë dhe zbatimin e reformave të kontrollit të eksportit.
Përpara kësaj, ajo kishte shërbyer në një sërë pozicionesh të rëndësishme, përfshirë si Koordinatore për Kundër Terrorizmin, Zëvendës Ambasador në Kabul, dhe Shefe e Misionit të SHBA-së në Bosnje dhe Hercegovinë.