Fryma e së dielës poetike me poetin;Llesh GJOKA
KU JANË NGJYRAT?
———————————–
Ku janë ngjyrat që rrëshqasin brinjëve të tokës
dhe zdritin pëlhurave të gjëra të qiellit?
Ylberet e gëzuar pas shirave, ku ranë?
Perëndimet e bruzta që i miklojnë njerëzit?
Njerëzit,
ku po shkojnë të veshur me pupla?
Apo shoh zogj të trembur nga egërsirat?
Pylli matanë është një habitët i rrezikshëm.
Gjahtarët janë larguar, agresorët ngjallin frikën.
Shoh ca shtëpi me dyer që s’hapen
E në zymtinë e tyre përditë nga pak vdesin
Dru me vernik,
e brejtur nga mola
Shkallë të myshkura që përcjellin heshtjen.
Zambakë të vyshkur pa duar kujdestare
Bimët në kopsht gishtat nuk i prekin,
Hije fanepsen, aty mungon njeriu,
S’ka as aromë,
as areal të gjelbër.
Heshtja është e rëndë, aty ku ziente lëvizja,
Rrugë të verbëta të çojnë në shkretí,
Në dunat e dhimbjes dështojnë rrënjët pemët
E jeta kryeneçe kërkon zanafillën.
Ku janë ngjyrat e dikurshme që u endën me fantazi?
Kur ëndrrat kapërcenin agimin që prarohet
Sa pak sheh syri, që duhet të shohë gjithçka
Veç një pikë,
një pikë e zezë që zmadhohet.
ll@gjoka
/www.QendraPress.com/