Poetja Donika Dabishevci prezanton librin “E gjihkohshmja Andërr”, i kushtohet përjetimeve në luftë
Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë ka bërë prezantimin e librit me poezi “E gjihkohshmja Andërr”, nga autorja Donika Dabishevci, raportin Ekonomia Online. Poetja Dabishevci ka lexuar poezi të përzgjedhura nga libri, dhe tutje është vazhduar me një bisedë me autoren rreth ballafaqimit me të kaluarën nëpërmjet krijimeve artistike.
Sipas saj, libri “E gjithkohshmja Andërr” është i ideuar si homazh poetik kushtuar viktimave civile të luftës ku një kapitull i dedikohet edhe fëmijëve në luftë gjë që ndërthuret me ekspozitën “Na ishte një herë që kurrë mos qoftë”.
Ajo sqaroi se ky libër me poezi flet për përjetimet e luftës, për të vrarët, për refugjatët, për shtëpitë e braktisura, për varfërinë, për shkatërrimin që sjell lufta dhe përmbyllet me poezinë “Gja s’ka ndrrue!”, duke reflektuar edhe në luftërat që po ndodhin tani nëpër botë.
“Secila poezi i kushtohet luftës, mizorisë së luftës, është shpresa që mbetet gjallë, pikërisht kjo dëshirë për me mbet gjallë. Andrra për me mbet gjallë”.
“Ky libër vjen 24 vjet pas luftës, unë kam menduar që me krijuar një farë distance emocionale, jetike prej kohës së luftës në mënyrë që me i përjetuar ato emocionet sepse secili prej nesh ndoshta i ka përjetuar ato emocionet i kanë edhe ato traumat brenda”, tha autorja Dabishevci.
Ky libër sivjet u vlerësua si libri më i mirë me poezi në Panairin e Librit në Prishtinë. Donika Dabishevci është, poete, studiuese e letërsisë dhe botuese. Ka doktoruar në letërsi, ndërsa përvoja e saj profesionale shtrihet përveç fushës artistike edhe në atë akademike dhe të medias.
Ka botuar librat: “Dashnisë së nji nate” (poezi, 2020); “Kam me ardhë si deka”, (poezi, 2015); “Proza e poetizuar- F.Konica, M.Frashëri, E.Koliqi, M.Camaj, M.Hanxhari” (studim monografik, 2015), “Imazhe të brishta”( poezi, 2004), “Krizantema të plasura” (poezi,1996) etj, ndërsa poezitë e saj janë të përkthyera në 11 gjuhë.