Fryma poetike e së dielës me poetin:Sabit RRUSTEMI
DERISA TË SOSET PËR FIJE FUNDI I ÇDO PRITJEJE
—————————————————————-
Sa u zgjova,
njërin krah të dritares hapa
Ëndrra e pak mëparshme
nuk më shqitej syve
as dilte nga dhoma
Ishte vizatuar si pritja në atë vazo prej luleje
e më shikonte përdhimbshëm
Kur pa që s’po reagoja
u afrua lehtas
flokët m’i shpupurishi
faqet
Pastaj,
ngadalë hyri nën mbulesën time prej nate,
ku strukej avulli i ngrohtë i zemrës.
Me krejt qenien e saj
një me mua u bë
nga majat e gishtave
deri tek buzët që lëngëzoheshin
U vërshuam prej puthjeve
për një zgjim të këndshëm
për një ditë të mbarë
e të përjetshme
nëpër vargndjenjat tona
Kështu do të të vij për çdo natë
për çdo mëngjes,
përmes një shprushjeje a puthjeje
derisa të soset për fije edhe fundi i çdo pritjeje
.
( 4 tetor 2024 )
/www.QendraPress.com/