Çaste poetike me poeten: Arjana Fetahu GABA

Epitafi të jetë poezi

——————————

Të gjithë do të vdesim një ditë

E kemi të shkruar

Ti vdekjen s’mund ta gënjesh

Nga “ajo” asnjë s’ka shpëtuar

Po ashtu dhe unë si të gjithë

Do të vdes, e po pastaj?!

Asnjë gur për shenjë s’do t’më mbesë,

Por kjo s’më bën fare të qaj

Veç një lëndinë me bar do të kem

Ku mëngjeset do t’më lajnë me vesë

Natyrisht as Zoti tim

S’do ti jem më në kujtesë

Por, para se ti shkoj asaj lëndine

Një lutje e kam si një amanet

Mos më lëvizni nga qetësia

Sa të ndërrojë këtë jetë

Le t’më shkrumbëzojë pështyma

Si shkumë valësh që desha aq shumë

Le t’më mbyllen qerpikët e bukur

Si një fëmijë në gjumë

Flokët e bardhë lëmini shpurpuritur

Rrudhat mos mbi mbuloni me gjë

Ato të tregojnë një shpirt të harlisur

Dhe një mall që qan nën zë

Do t’heshtni për pak ju që më doni

Një bisedë do t’kem me të shtrenjtët e mi

Do t’u them që të mos harroni

Epitafi të jetë poezi

Ah, mos ma prishni shikimin ngultas qiellit

Se një këngë do këndohet për mua

Gatuar me lotin në cepin e syrit

Dhe me fjalën e fundit ” Ju dua”

/www.QendraPress.com/