Universiteti “Ukshin Hoti” dhe Hochschule Flensburg dakordohen për bashkëpunim akademik
Drejtuesit e Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Universitetin e Shkencave të Aplikuara Flensburg nga Gjermania, në kuadër të cilës parashihet zhvillimi i aktiviteteve të përbashkëta dhe shkëmbimi akademik.
Memorandumi është nënshkruar nga Rektori i Universitetit të Prizrenit, Mentor Alishani, dhe Rektori i Hochschule Flensburg, Sven Tode.
“Kjo marrëveshje bashkëpunimi shënon një hap të rëndësishëm për të zgjeruar dhe forcuar lidhjet akademike ndërkombëtare, duke ofruar mundësi të reja për studentët dhe stafin akademik të të dyja institucioneve”, thuhet në njoftimin e Universitetit të Prizrenit, raporton Telegrafi.
Aty theksohet se bashkëpunimi përfshin një gamë të gjerë fushash, duke përfshirë shkëmbimin e studentëve dhe profesorëve, projekte të përbashkëta kërkimore, seminare dhe konferenca shkencore, si dhe zhvillimin e programeve të përbashkëta akademike.
Rektori Alishani ka vënë në pah rëndësinë e këtij bashkëpunimi për zhvillimin e cilësisë së arsimit dhe kërkimit në universitet.
“Ky memorandum është një mundësi e shkëlqyer për studentët tanë që të përjetojnë një eksperiencë ndërkombëtare dhe të përfitojnë nga mundësitë akademike globale. Shkëmbimet dhe bashkëpunimet e tilla janë të rëndësishme për zhvillimin e tyre profesional dhe për të rritur cilësinë e kërkimit shkencor”, ka thënë Alishani.
Ndërsa homologu i tij nga Hochschule Flensburg, Sven Tode është shprehur optimist dhe entuziast për këtë bashkëpunim, duke nënvizuar përkushtimin për të zhvilluar partneritete që përgatisin studentët për sfidat e tregut global, raporton Telegrafi.
“Jemi të gëzuar për këtë mundësi për të ndërtuar ura të forta akademike dhe për të ndarë përvoja të dobishme midis institucioneve tona”, ka deklaruar ai.
Të dyja palët, synojnë që ky bashkëpunim të mundësojë shkëmbimet akademike dhe profesionale për studentët dhe mësimdhënësit, me qëlllim të përgatitjes së tyre për sfidat e një bote gjithnjë e më të ndërlidhur.