NGRITJA E BUSTEVE TË RAMË BLLACËS DHE TË SHERIF VOCES-Shkruan ; Akademik Prof.Mrsc.Jahja Lluka,AAA
Njëri ndër aktivitetet që zgjoi interesim të posaçëm, ishte vendimi i Kryesisë për ngritjen e busteve të veprimtarëve, deputetëve të Kuvendit të ish-Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, përkatësisht Jugosllave, të cilët nuk pranuan ta nënshkruajnë Konventën jugosllavo-turke. Kërkuam ndihmë dhe realizuam dy buste shumë të rëndësishme. E angazhuam skulptorin Agim Çavdërbasha, i cili me një sukses të jashtëzakonshëm i shkriu në bronz këta dy veprimtarë për pengimin e largimit e shqiptarëve në Turqi. Organizimi nuk ishte shumë i lehtë. Në Bllacë të Suharekës, te varri i Ramë Bllacës, arritëm ta vendosim bustin. Meqenëse varri i Ramë Bllacës është në xhaminë e Bllacës, në marrëveshje me Bashkësinë Islame, me fshatarët e Bllacës, me anëtarët e familjes së Ramë Bllacës, të cilët ndonjëherë ishin edhe skeptikë, por nga pak edhe të rezervuar për shkak të mundësisë së represionit, pasi që në të kaluarën, për shkak të qëndresës së tyre, kanë pësuar shumë. Megjithatë, ne bëmë një organizim të jashtëzakonshëm, me ç’rast në oborrin e xhamisë, u grumbulluan mbi 5000 qytetarë. Pas fjalëve të profesor Pajazit Nushit e të Skënder Rizës, e zbuluam bustin, unë dhe Brahim Bllaca, djali i Ramë Bllacës.
Ishte rrezik se do të kishim pasoja, pasi vetëm një kilometër vijë ajrore, ishte stacioni famëkeq i policisë serbe, në Dule nga i cili shihej fare mirë masa e njerëzve. Fatbardhësisht çdo gjë kaloi ashtu sikur ne dëshiruam. Pas këtij tubimi madhështor fshatarët e fshatit strehuan të gjithë mysafirët në një drekë rasti. Është për të thënë, se shkolla fillore, në fshatin Bllacë nga kjo ditë e mori emrin e Ramë Bllacës dhe mua më shpallën kumbarë të shkollës, për çka i falënderoj dhe u jam mirënjohës. Sa i përket çështjes së bustit të Sherif Vocës, me gjithë përpjekjet tona, deri më sot fatkeqësisht busti i Sherif Vocës ka ngelur diku nëpër dhomat e familjes së Vocajve, pasi që nuk është gjendur vendi adekuat në njërën nga lagjet e Mitrovicës. Kuvendi Komunal i Mitrovicës ka pasur disa propozime të cilat nuk janë me ndonjë peshë. Me gjithë insistimin tonë se të gjitha shpenzimet për projektin, ndërtimin dhe vënien e bustit të Sherif Vocës do t’i heqë Shoqata, kjo detyrë, deri më sot, ka mbetur e parealizuar. Është për t’u habitur se si vetë mitrovicasit, apo më mirë të themi strukturat udhëheqëse të Mitrovicës, nuk patën guxim dhe kurajo për ta vlerësuar drejt veprimtarinë e Sherif Vocës.
Shoqata për Kthimin e Shqiptarëve ka pasur edhe një projekt për ngritjen e një monumenti, për Ramë Bllacën, në udhëkryqin e rrugës Bllacë-Dule, ku ndahet rruga për fshatin Bllacë. Me siguri se është mirë që Kuvendi Komunal i Therandës, të merret më këtë çështje për arsye se Ramë Bllaca dha jetën e vet, për shkak se nuk deshi ta nënshkruajë vendimin për realizimin e Konventës jugosllavo-turke. Shoqata gjithashtu pati propozuar që shtëpia e Ramë Bllacës, e cila u ndërtua në kohën kur shqiptarët largoheshin nga Kosova, të shpallet shtëpi muze.
Me siguri se edhe shumë veprimtarë të tjerë gjatë historisë kanë dhënë kontributin e tyre në pengimin e shpërnguljes së shqiptarëve nga Kosova në trojet etnike shqiptare. Shumë prej tyre meritojnë të kenë vendin e duhur në histori, por edhe në të përditshmen tonë. Fatkeqësisht, shpeshherë, njerëzit që japin kontribut të çmuar në përpjekjet tona, sikur janë harruar, apo po harrohen, nganjëherë edhe me qëllim./www.QendraPress.com/