Kurti: Bashkëpunimi në fushën e sigurisë me RMV është shumë i rëndësishëm
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se takimi i sotëm ka dhe një rëndësi simbolike se përkon me 15 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve mes dy vendeve, raporton Ekonomia Online.
Kurti tha se deri tash mbi 50 marrëveshje dhe memorandume janë nënshkruar që sipas tij i kanë afruar më shumë të dyja vendet.“Zbatimi i tyre duhet të na afroj më shumë”, tha Kurti në mbledhjen e përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë së Veriut, duke njoftuar po ashtu se sot do të nënshkruhen dy memorandume.“Marrëdhëniet e mira mes dy vendeve tona reflektohen edhe në rritjen e vazhdueshme të tregtisë”, tha Kurti.Kurti ka përmendur rritjen e eksportit nga Kosova në Maqedoni të Veriut, ku sipas tij, nga 44 milionë në vitin 2019 është rritur në 121 milionë euro për vitin 2023. Nga janari deri në nëntor të këtij viti, Kurti ka thënë se janë regjistruar 5 milionë kalime kufitare në të dy kahjet, nga 3.5 milionë në vitin 2019.Ai njoftoi se është rritur dhe shkëmbimi tregtar. Ai tha bashkëpunimi në fushën e sigurisë është shumë i rëndësishëm. “Na duhet të thellojmë bashkëpunimin rajonal”.
Ai ka folur edhe për investimet që priten të bëhen në infrastrukturën kufitare, përkatësisht përfundimin e ndërtimit të dhjetë kilometrave të mbetura të autostradës nga Bllaca në Shkup. Gjithashtu ka shtuar ndërtimin e tunelit që lidh Prizrenin me Tetovën.