Totaj ndan përvojën e Komunës së Prizrenit në samitin e USAID-it
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, mori pjesë në samitin e organizuar nga USAID për programin “Kontrata Sociale”, ku ndau përvojën dhe arritjet e Komunës së Prizrenit si një nga përfituesit e këtij programi Samiti, që u zhvillua me pjesëmarrjen e liderëve dhe përfaqësuesve të komunave të ndryshme, kishte për qëllim ndarjen e përvojave dhe praktikave më të mira në fushën e menaxhimit të shërbimeve publike dhe angazhimin e qytetarëve.Komuna e Prizrenit ka qenë një aktor i rëndësishëm në këtë iniciativë, duke marrë pjesë aktive në çdo hap të këtij programi, që ka ofruar mbështetje profesionale dhe këshilla konkrete për zhvillimin e projekteve lokale.Totaj theksoi rëndësinë e këtij programi, i cili ka ndihmuar në forcimin e kapaciteteve të komunave për të udhëhequr dhe implementuar projekte të suksesshme dhe për të siguruar shërbime më të mira për qytetarët.“Karakteri i këtij programi është i veçantë, pasi ofron mbështetje të vazhdueshme dhe praktika të dobishme që i ndihmojnë komunat të rrisin efikasitetin dhe cilësinë e shërbimeve. Për Komunën e Prizrenit, ky program ka qenë një mundësi e shkëlqyer për të përvetësuar mësime të vlefshme dhe për të udhëhequr me sukses iniciativat tona të zhvillimit,” u shpreh Totaj.