Çaste poetike me poeten;- Margarita Llapushi Zeneli
Toka mëmë lëngon…
——————————-
Toka mëmë lëngon, zemra i rreh me dhimbje,
Plagë mbi plagë në trupin e saj shënon koha,
Bijtë e saj bien, viktima të heshtura të dhunës,
Gjak i njomë rrjedh, e drejtësia veç rri si hije pa forcë!
Vrasje, padrejtësi, zëra të shuar në terr,
Fajtorët enden lirshëm, të mbrojtur nga pushteti,
E në sofrën e varfërisë, prapë një fëmijë qan,
Ndërsa babai humb shpirtin duke kërkuar një kafshatë!
Familjet prishen, si degë të thara nën furtunë,
Në tryezën ku dikur ndizej një qiri dashurie,
Sot mbetet heshtja, dhe një nënë që s’di ç’të bëjë,
Ndërsa lotët e saj humbasin mes mureve të ftohta!
Bijtë ikin larg, drejt botës së panjohur,
Malli rëndon si gur në kraharorin e tokës,
Por këtu, ku gjithçka duhej të lulëzonte,
Korrupsioni rrënon dhe shpresa venitet në hije.
Kush do ta ndreqë këtë plagë të thellë?
Kush do ta ndalë këtë dhimbje të heshtur?
A është një tokë që qan, një popull që hesht,
Apo një e ardhme që tretet në harresë?
Ngrehuni,bijë të kësaj toke, me zemër të pastër,
Mos lejoni që ëndrrat tu shuhen nga padrejtësia.
Toka mëmë lëngon, por thërret ende fort,
Ta duam, ta shpëtojmë, të lulëzojmë në çdo portë!
/www.QendraPress.com/