Çaste poetike me poeten:- Gjelina Maçi KEÇI

VETËM NJË STINË

—————————————-

Nuk dua ,

Por Jam e detyruar të iki dhe unë shumë larg,

Nuk mund të të shoh, duke dhënë frymën e fundit,

Si enë plakë, e shpikur, që rrjedh çdo ditë nga pak,

Derisa të boshatisesh e të jesh gojës së ujkut.

Të gjithë atyre që u duhesh e zënë në lak e pa bërë gjak…

Më duhet të iki se, nuk mund të shoh diellin, kur lind i mërzitur ,

E hënën në lot pa yje mbuluar me mantelin gri,

Deti i tërbuar heshtjes pa pikë dashururie nga ajo që do ai.

E bregu gjithnjë pa puthjet e valës, dallgëve i mbytur,

Qiellin e ngrysur me re të zeza në breshër e stuhi,

Braktisur pa zogj, dallëndyshe e bilbil,

Malet pa zana të ikura nga bora e përhershme,

Toka rënkon për orën e vet, pa lule e trëndafiltë.

Nuk mund ta shoh gurin,

Kur të çahet nga dhimbja e dhimbjes së tij,

Prej mallit nëpër troje i vetëm në shtëpi;

Nuk mund të shoh gjyshër me fotografi në duar

Në ikje të pashmangshme, kur treni i jetës u ndalon

Me lot të ngrirë hapit fundit të vetmuar.

Nuk dua të shoh gjarpërinj, çdo ditë duke të helmuar,

E krokodilë që enden në gëzimet e tyre duke ngrënë,

Mrekullitë e tua, trupin duke ta copëtuar.

Raki, musht e verë në gosti shtrigash me magji,

Dy a tre kolltukë fantazmash pa veshë e sy në ballë,

Pa shpirt, pa zemër dhe pa dashuri.

Ikën engjëjt, tani çirren për fron vetëm djaj,

Nuk dua të shoh Drinin, kur të ndryshojë rrjedhën e tij,

Fushat djerrë e ferrat aty t’harruara përherë

E vendi kthyer në greminë memece pa gjuhën e tij,

Pa pranverë, pa sythe dhe pa lastarë…

Vetëm një stinë jetë atdheu, vetëm një stinë

Tri të tjerat vrarë…

Por dihet që Shpresa e fundit vdes

Vesa avullon kur Dielli shndrit

Edhe pse nuk dua , duhet të pres

Dhe ikja do t’kthehet, në ardhje nji ditë .

/www.QendraPress.com/