Çaste poetike me poetin;-Sahit F OSMANI
TI DIÇKA FSHEH…!
————————————–
Kur retë venë vello mbi yj’
Kujtoj e qepallat s’më mbyllen,
Në ditët që shkuan penën e ngjyej,
Copëtohet zemra mendimet ndrydhen.
Lulen e harruar në dorë e shtrëngoj,
Aromën e saj përsëri ma ka ënda,
Nuk kam se si përtokë ta lëshoj,
Ndonëse në trup ka shumë gjemba.
Çaste të lumtura shpesh më kujtohen,
Sa shpejt u venit dashuria e jonë,
Kështu tek mendoj, fort torturohem.
Pra t’i kërkoj, më duket… vonë.
Ti lozje e qeshje me mua,
Për të më sjellë sot lot,
Përsëritje pa turp “Të dua, të dua”
Por e dija se ish krejt e kotë.
Nuk e di se ç’verë ti më dhe,
Se unë e ngrita tërë gaz,
Por befas për gotën ti më the:
Ngrije por mos e zbraz.
Kur flet, se ndjen’ që edhe fytyra,
Të tradhton nga skuqja e lehtë.
Më kot kërkon me mijëra mënyra,
S’ka më asgjë për ne të fshehtë!
/www.qendrapress.com/