E mërkura poetike me poetin;-Fatmir MUSAI
NJË FJOLLË TYMI
——————————-
A më gjete a të gjeta,
A më mbete, a të mbeta?…
Fjolla tymi mbi oxhak,
Veç ca xixa ndritin lart!
S’ka më tym nga ca karthija*,
Kur eshka thithte shkëndija
Edhe zjarri bubulak
Vatrën ndizte plot me flakë!
Tash, një fjollë tej oxhakut,
Si përshpirtje e qoftëlargut,
Tund shaminë në errësirë
E na thotë Lamtumirë!
*karthija- shkarpa për të ndezur zjarr
FJALËQITJET
Brenda-jashtë ne përditë
Zemë i zbrazim rropullitë,
Orë e çast edhe ndër vite
Ngritëm male me jashtëqitje!
Nga të gjitha Zorrëqitjet,
Më të parat janë Fjalëqitet!
MARINA
Ç’më zunë ca ethe gushti,
Moj rakia zjerë prej mushti,
Atje tej në bokërrimë
Më përcëlloi, të zinë!
Ah, ç’më bëre, moj Marinë,
Më dogje me flakërimë!
LIRI E MUNGUAR
Vate dhe kopshti im i fëmijërisë,
Pemët e shtrenjta që u kisha dhe vënë emra…!
Brenda pallatit që mbi rrënjët e tyre u ngrit,
Si në befotrof unë qaj e shoh ëndrra!
Shtyp ca butona e ndjehem pasha,
E prap qaj për Lirinë që më la!
/www.qendrapress.com/