Çaste poetike me poetin; Llesh GJOKA

KAM NEVOJË URGJENTE TË BIE, TË FLE

———————————————————-

Dorë e pushtë zgjatet nga trupi i errët i natës

Kam nevojë urgjente

Të bie, të fle

Një ledhatim e marr nga yjet.

Shtëllungë ëndrrash më përzihet

Këndej është një botë tjetër

Në mol më përshkëndritet

Fytyra jote më e dritësuar se një far.

Nuk e di

Përse makthet kanë emrin tënd

Dhe imazhi yt

Vërtitet atje nga ujërat si gondole

E unë jam pa një pikë mbërritje.

Nuk e di pse humbja ime

Qenka si arratia e gjetheve në vjeshtë

Që ikin, ikin larg

Dhe nuk kthehen më pas.

Ajo ç’ka mbeti

Janë këto skelete pemësh të mardhura

Sheshet e pushtuara nga vaji i erës

Shkretia që do të mbulojë kujtimin.

Janë këto ëndrra të ngatërruara

Që më sjellin lajme surreale

E dëshpërimin ma bëjnë kapule.

Janë këto heshta dhimbjesh

Që më shpojnë gjithë ditën

Dhe më shtyjnë si murg

Në shtratin e heshtur të natës.

Kam nevojë urgjente

Të bie, të fle.

Ëndrrash le të tretem.

/www.QendraPress.com/