MALL I PA GJUMË

——————————

U bë net që shtrati në gji s’më pranon

Ndërsa ti për dreq, ke nisur të shkosh herët e më herët.

Koha asnjëherë s’të del e kurrë s’të tepron

T’fluturon si kalë i hasdisur, vrarë nga frerët.

U thefshin e u thërrmofshin akrepat e çmendur të orëve!

Që xhirojnë si mulli ere nga mbrëmja në mëngjes

Orët e ditës rendin e fluturojnë si kuajt pas taborëve

E asnjë sekondë nuk ndalen për besë.

E pagjumë do përgjoj netëve akrepat e orëve të tua

Gardiane sypafjetur do i bëhem gjumit tënd

Nëse ëndrrës do rënkosh nga pesha e mallit deri në thua

Melhem do bëj lotin mbi plagën që dhemb.

Mbi shtatin e lodhur do t’qëndis ca fjalë të mjalta

E si kaçake këmbëzbathur do vrapoj nëpër natë

Dëborës mbi kreshta malesh do i nis ca lutje të arta

T’më bëjë hise pak sekonda, fare pak.

Mëngjese t’përdjelluara spërkatur pluhur yjesh

T’m’hijeshojnë qerpikë e mollëza çdo ag

Mirëmëngjesi malli im i pagjumë!

Me penel prej shpirti ta gjej të pikturuar në prag…!

/www.QendraPress.com/