Modernëve

———————–

Ju doni të transformoni artin,

I keni shpikur plakjen letërsisë

Komunikimit fatkeqësisht,

Gjuhës së nënës, gjer poezisë…

I bëni injeksione fjalësh gjer në anglisht.

Ia fshini asaj Homerin,

Dantes – parajsën, purgatorin e ferrin

Petrarkës – sonetin,

Shekspirit-Hamletin,

Gëtes, Fishtës – madhështinë,

Eseninit – dhimbjen,

Mjedës – Ëmbëlsinë.

Migjenit, ngjashmërinë me kometën,

Lasgushit, nositin dhe magjinë

Njeriut ia mbani larg gjendjen, të vërtetën

Shpirtit të tij ia ndotni bukurinë.

Ju artin e shihni si një tren të vjetër,

Që mezi ecën,

Ndaj duhet ndërruar me tjetër.

Se, edhe tek ndalet stacioneve,

Sikur hipin e zbresin të njëjtët udhëtarë.

Doni t’i ndryshoni ndopak?

T’u vini fjongo për kollarë?

Të kthehen personazhe modernë, të paparë.

Të ndriçojnë ndyshe, poshtë e lart,

Që gjithmonë sahati t’u bjerë shtatë.

Të kthehen fasadë? “Pallat, me shigjeta pallat?”

Po, poezia e vërtetë ka qenë dhe është qëndresë,

S’njeh harresë, dhe kurrë s’ vdes.

Ngjan Perëndi dhe me zërin e asaj flet.

Askush nuk e ka fuqinë ta thajë këtë det.

/www.QendraPress.com/