E mërkura poetike me poetin:-Gëzim AJGERAJ
MË DJEG KY MALL
—————————-
Më djeg ky mall e më vlon në gji
Jam pengu i saj që më mban rob në dekada
Rëndojnë këto udhë botës në arrati
Ndoshta, do të bëj mirë edhe ty t’i pikturoj përpara
Më djeg ky mall orë e çast e ikën
Nga dhembja ime që s’më ndahet dot
Ikën përtej e kthimeve të mia u zë pritën
Të paktën ca dëshira të t’i sillte ty sot
Me vlon ky mall si vorba mbi pushin me hi
Për fëmijërinë e lënë diku në kullë
Më djeg ky mall e ndahet viteve në arrati
Për ditët e rinore që s’i shijova kurrë
Më djeg ky mall i heshtur në brendi
Për miqtë e mi të paktë e të mirë
I kam ca kujtime që me ta t’i rishfletoj
Në mos ka mbetur e pashkruar ndonjë dëshirë
Më vlon ky mall e më përvëlon
Për njerëzit e mi atje ndër kulla
Kam dhe shumë llafe e plot mirësi
Të ulemi këmbëkryq mbi postaja në oda me burra
Më vlon ky mall e digjem nga meraku
Në mos më ngelet dhe shumëçka pa e thënë
Kam frikë se ndokujt mund t’i ngelet hatri
Prandaj, digjem nga meraku, këtyre udhëve peng i zënë
/www.QendraPress.com/