Çaste poetike me poeten;-Violeta KADRIU

DYNGJYRËSHJA GJUHË E SHENJTË KUQ E ZI

—————————————————————-

E bekuar qoftë ajo gojë e Arbërit,

që për herë të parë të belbëzoi,

e bekuar qoftë ajo mendje e ndritur,

që me penë të artë në libër të shkroi,

o Gjuhë Shqipe, himni ynë i jetës,

frymëmarrje e shpirt i Dardanisë,

më e ëmbla gjuhë e kësaj bote,

o gjuhë hyjnore e Shqiptarisë!

O gjuhë mjaltë e dejve të mi,

në të cilën thërras nënë, baba, motër e vëlla,

o trung me degë gjuhësh i tonës lashtësi,

si ti e pasur askund nuk ka,

sa herë qaj, qesh, o trime mbi trime,

shkruaj vargje e këngë këndoj,

ndër shtatë palë qiej e tokë,

o gjuha e babait e e nënës sime,

s’ bashku me ty fluturoj!

O gjuhë shqipe, ujëvarë margaritarësh,

që përfaqëson shpirtin tonë pellazg të dëlirë,

që shkrumbëzon kaltërsi Valbone e Mirushe,

e ndër zemra këput çdo zinxhir,

asnjë gjuhë tjetër madhështinë tënde

jo, në botë nuk mund ta ketë,

se me këtë gjuhë magjike e hyjnore,

edhe qielli me diell e hënë e yje flet!

Gjuhë shqiponjash e skifterësh,

gjuhë burrëreshë nënash të kësaj toke t’ heronjve,

gjuhë e Skënderbeut, Ademit, Zahirit,

e të gjithë mbledhur Shqiptarisë Dragonjve,

gjuhë e Veqilharxhit, Gurakuqit, Mjedës,

Naimit, Fishtës, Nolit, Migjenit,

që i jep gurgullima e dallgëzime të ëmbla shqipe,

Drinit, Bistricës, Llapit, Bunës, Shkëlzenit!

O nina-nana e shenjtë në çdo gojë shqiptari,

që me shkronja ari u këndove e u gëdhende në djep,

pa shkronjat tua s’ na shkruhet as gur varri,

e s’ mund të thërrasim det, mal, lis e as plep,

ligjëro me pastërti kroi, në çdo gjë shqiptare,

ashtu siç ligjërove ndër brezni,

o gjuhë shqipe, gjidhënëse e të gjitha gjuhëve,

Dyngjyrëshja Gjuhë, e Shenjta jonë Kuq e Zi!

/QendraPress.com/