Fryma poetike e së dielës me poeten;-Barie ÇUPI

Në njëmijë e një net.
———————————-
Orë pas ore numërojmë kohën e humbur,
atë kohë që rrudhoset bashkë me zbrazëtinë e ditës,
fletësh të një libri tretet,
si petale e mpirë,
e ndukur,
shëmbëlltyrë në vijat e fytyrës,
është grija e saj,e thjeshtë,
e urtësuar,
si qiell i rënduar,
e dukshme është thyerja,
e metaltë,
ç’kohë e purpurt,
e sermtë,
e mjaltë.
…
qark zgjimi,
si një llampë me flutura rrethuar,
dalldisja e pranverës,
sikur zambakët,
jaseminët,
manjolat e para,
formulë e balancuar.
…
e fundit grimcë jete,
hoqi harresën nga boçet e ditës
dhe ndali,
kupol’e brendshme e shpirtit ka rënë,
rënie e hershme,
thyer në copa kristali.
…
dënesë e dhimbjes,
vdes në rimën e poemave të gjata,
muzgjesh nën ajrin e ftohtë,
një drithërimë e gjelbërt rri ngrirë,
ëndrrat tërhiqen zvarrë mbi koren e natës,
ndërsa lotin yjet,gji hëne për të pirë.
…
heshtje,
përqasje,
ikje,
të mbetuna në ikje,
djersë të nxehta,
i kërkuan këmishës shkopsitje,
ndër mendje copëtohen kujtime,
në dritare një orkide e tharë,
si farëz e zhbërë në kopshtin me lule të harruara,
në njëmijë e një net,
fjetën bashkë e vërteta dhe gënjeshtra,
të bashkjetuara,
re mbi re,në gjoks të universit,
gjith’etjet e shuara.
…
paqartësi,
dashuri,
o bukuri e pasy,
o ndjenjë e gjuhës së pamend,
në cilën ngjashmëri,
do të duheshin ata të dy…?
/QendraPress.com/