Skema e fajdeve – kryeprokurori Kryeziu thotë se ‘nuk ka të fuqishëm, harroni mitet’

   Emisioni “KallxoPernime” ka transmetuar momentet e arrestimit të personave të dyshuar për fajde në rajonin e Prizrenit, ku u shkatërrua një grup i fajdexhinjve.

Në detaje emisioni ka sjellë të gjitha veprimet që janë ndërmarrë nga Prokuroria e Prizrenit në operacionin kundër fajdeve që rezultoi me gjashtë të arrestuar.

Të dyshuarit kishin arritur që nga një burrë rreth të 40-ave, t’i merrnin mbi 20 banesa e lokale afariste, meqë i njëjti nuk kishte arritur t’i paguante këstet e kamatave.

Kryeprokurori i Prizrenit Petrit Kryeziu, në emisionin “KallxoPernime” tregoi se si këta të dyshuar kishin përdorur edhe dhunë ndaj viktimës për ta detyruar t’i paguante kamatat.

“Në një rast me 8 shkurt 2024 e ka marrë viktimën dhe vëllain e tij nga Prishtina dhe e ka dërguar rrugës për Suharekë dhe aty e ka kapur edhe për fyti edhe e ka kanosur se do ta dërgojë dhe do ta lidhë në shtëpinë e tij.”

Andaj jo rrallëherë këta persona që japin fajde nga viktimat portretizohen si të fuqishëm.

“Realisht ata të viktimat portretizohen si të fuqishëm dhe kanë një rrjet, kanë persona që zakonisht janë të papunë por vetëm merren me këto gjëra dhe arrijnë t’i frikësojnë, arrijnë t’i kanosin edhe t’i sulmojnë”- thotë kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu.

Por, për kryeprokurorin Petrit Kryeziu, ky është veç një mit, sepse para institucioneve të shtetit nuk ka të fuqishëm.

“Dua ta bëjë të qartë se nuk ka të fuqishëm të Prizrenit, le t’i harrojnë mitet, le t’i harrojnë të fuqishmit. I fuqishëm është vetëm ligji dhe janë institucionet. Ka persona problematikë por ne e kemi dëshmuar si në të kaluarën, si tani dhe do ta dëshmojmë edhe në të ardhmen”- tha Kryeziu.

Kryeziu thotë se fajdexhinjtë dhe kushdo që ka kryer vepër penale do ta ketë vendin në burg.

“Kushdo dhe për këdo qe ka prova se kanë konsumuar elemente të veprës penale, ata e dinë ku e kanë vendin. Siç janë dhjetëra persona për fajde që janë në paraburgim ose në vuajtje të dënimit. Sepse për ketë e kemi dëshmuar edhe si Prokurori edhe si Gjykatë edhe si Polici. Viktimat duhet ta dinë se institucionet shtetërore nga niveli qendror, nga Prokuroria e Shtetit, nga Këshilli Prokurorial, po flas edhe për Prokurorinë e Prizrenit i trajton me prioritet dhe e kanë mbështetjen e plotë, në çdo hap. Viktimave të rastit i ofrojmë edhe siguri”- theksoi kryeprokurori Kryeziu.

Operacionit që rezultoi me gjashtë të arrestuar i kishte paraprirë një hetim prej 7 muajve, prej tyre 6 me masa të veçanta hetimore ku janë siguruar filmime dhe shume orë të regjistruara të takimeve me viktimave dhe te pandehurve.Grupi i të dyshuarve për fajde është prangosur teksa gjatë operacionit janë gjetur edhe armë. Përveç njësive banesore janë sekuestruar edhe makina dhe mjete bujqësoreViktima në këtë rast kishte marrë 10 mijë euro nga një i pandehur, teksa vlera e kamatave në fund vlerësohet se shkoi deri në 1 milionë e 400 mijë euro.