Çaste poetike me  poeten;-Vjollca ALIAJ

 Po sot?

——————

Lind dita,

rrezja shkëlqen mbi sipërfaqe ujërash

ku lahen këmbë të ndotura

e gjurmë lënë këmbëzbathurit.

Erë e tharme mbështjell padukshëm

fytyra plot rrudha e trupa të kërrusur…

Zogjtë, fëmijët ndajnë thërrime të thara

mbi pëllëmbët e drithta, të palara.

Lind dita,

fillon marshimi i heshtur drejt male hedhurinash,

drejt grumbujsh pa jetë

ku jetë me jetë kërkohet.

Kënga e melankolisë ledhaton buzë të çara

pa buzëqeshje, pa ngjyrë e pa shtrëngime kënaqësie,

piklat e djersës mbi ballë pikojnë,

bazorelieve anonimë shfaqen lëkurëve njomëzake.

Brohoritje…

Gjëmime kazanësh të vjetër,

japin alarmin….

Lind dita,

valëviten në ajër mbi shkopinj kanaçet,

thasët e grisur sadopak janë të rëndë,

si ushtarët e Napoleonit, buzë lumit, shtrihen,

nën diell të uritur vocërrakët,

me të vetmen lutje drejt qiellit …

Nesër më shumë!

/QendraPress.com/