Çaste poetike me  poetin;- Kujtim HAJDARI

SË BASHKU I NDEZIM PRANVERAT

———————————————-

Dëgjoni tik-takun e zemrave të tyre si rreh,

Si shpalos histori të panumërta që flenë e rizgjodhën,

Guximin, forcën, ëndrra të patreguara që heshtin,

Pëshpëritje shpresash si vesime mëngjesesh,

Ulërima fuqish si nerva vullkani të ndezur,

Madhështinë e tyre që globin tund e i jep dritë.

Këto janë nënat, gratë, vajzat, mikeshat tona,

I kemi mes nesh të ashpra, të mira, të bukura, të hijshme,

I duam, i adhurojmë, i përkëdhelim, por kjo s’mjafton,

Ndihmojini të thyejnë zinxhirët social, të marrin lirinë e plotë,

Dëgjojeni zërin e tyre të bashkuar, kur qiellin merr,

Kur ngrihen së bashku e thërrasin njëzëri drejtësi.

Shikojini në fushat e punës, në arenat e pushtetit,

Shikoni botën që kalon e rritet në duart e tyre,

Kujtoni kur, me dallgë dashurie, ju mbulojnë,

Me një det përkëdheljesh kur bëhet diell për fëmijën,

Puthini ato duar, mendjet që shpikin, zemrat që dashurojnë,

Që të ardhmen ndriçojnë dhe ndezin me flakën e tyre.

Për nënat dhe vajzat, motrat dhe mikeshat,

Për dashurinë e tyre që s’njeh kufi e s’mbaron kurrë,

Gjunjëzohuni përpara madhështisë së tyre hyjnore,

Për plagët që u japim me dashje apo pa dashje,

Për durimin që kanë, ule pak kreshtën si burrë.

Bëjë që mimoza në zemrën e tyre të lulëzojë çdo ditë,

Le të festojmë e t’u shtojmë gëzimin e lumturinë,

Çdo ditë e vitit të jetë për to një 8-Mars i madh festiv

Se në forcën e dashurinë e tyre gjejmë dhe tonën,

Së bashku i ndezim pranverat – jetës i shtojmë bukurinë.

/QendraPress.com/