Zgjedhjet në Shqipëri dhe pritjet e shqiptarëve të Kosovës-Shkruan;Hisen BERISHA,analistë politik dhe i gjeopolitikave

Gjatë një qëndrimi familjar në Shkodër, ndërsa ndamë bukën e drekës me djemtë e mi, biseda rrjedhshëm na çoi drejt historisë, legjendave dhe kujtesës sonë të përbashkët.

Folëm për kalanë e Shkodrës, për historinë e Rozafës, për mitin e “Nuses së muruar” dhe për urën me tri harqe që mishëronte dramën e sakrificës, siç e shkruan mjeshtërisht Ismail Kadare. E prej aty, nisa t’ua shpjegoj metaforën e sakrificës për të ndërtuar një urë që qëndron, për të ndërtuar një shtet që mbijeton, për të jetësuar një liri që nuk është vetëm fjalë, por rezultat i sakrificës. Dhe që kjo sakrificë nuk është e shkuar, por është gjithmonë një domosdoshmëri për ata që duan të ndërtojnë një të ardhme të përbashkët.

E për ta bërë konkrete këtë ndërlidhje mes historisë dhe rrugëtimit real, udhëtuam nga Shkodra për në Kukës nëpër rrugën e vjetër – nëpër Pukë, Fushë-Arrëz, Kalimash e më pas drejt Kosovës.

Udhë rraskapitëse, por domethënëse.

U thashë djemve të numëronin nëntë fushat dhe nëntë malet, përtej të cilave mbeti Doruntina, që i printe Besëlidhja, fjala e dhënë, ideali i një bashkimi që nuk njihte pengesa natyrore.

Në këtë udhë, Kosova ishte Doruntina – e braktisur dikur, e premtuar gjithmonë, e që do merrej një ditë nga Pali – nga Shqipëria, nëse vërtet fjala e dhënë është ideal kombëtar.

E prej aty, udhëtimi na çoi në Rrugën e Kombit – një ndër veprat më të prekshme të bashkimit real mes dy anëve të kufirit ndërshqiptar.

Atë rrugë që nuk do të ekzistonte nëse nuk do të kishte vendime të guximshme, që ndoshta nuk ishin popullore në atë kohë, por që u bënë jetike më vonë.

Nuk i harroj deklarimet e politikanit të kohës, Fatos Nano, në vitet 1996–2000, i cili e shihte projektin si të largët – për vitin 2020.

Ndërkohë, lideri i shqiptarëve të Kosovës e vizualizoi “Rrugën e Kombit” në vitin 1992, gjatë një vizite e qëndrimi në Milot e Rrëshen, tek vizitoi “Urën e Zogut”. “Ktej ka me kalu autostrada që ka me lidhë Shqipërinë me Kosovën; nga Durrësi në Prishtinë”! Disa nga ata prezent veçse nuk guxuan me qeshë nga skepticizmi, duke e parë si diçka imagjinare, ashtu siç ishte parë edhe vizioni për shtetin e pavarur të Kosovës në deklarimet e vitit 1988.

Ndërkohë, ishte Sali Berisha ai që mori vendimin politik për ta nisur këtë rrugë në vitin 2007, duke e kthyer premtimin e fjalës kombëtare në realitet infrastrukturor. Ne si kosovarë nuk harrojmë dhe dimë të falënderojmë kur fjala dhe vepra përputhen.

Ndaj, ndërsa të dielën Shqipëria shkon në zgjedhje, ne në Kosovë nuk jemi të etur të dimë se kush do të jetë kryeministër apo kush do të formojë kabinetin e ri.

Ne duam ta shohim nëse Shqipëria zyrtare është e gatshme të ndërtojë ura reale, jo vetëm ceremoni.

Të kemi bashkëpunim substancial, jo vetëm fotografi dhe retorikë të përvitshme në mbledhje të përbashkëta që nuk prodhojnë as vendime, as zbatim.

Të ndërtojmë një strategji të përbashkët kombëtare në ekonomi, mbrojtje, diplomaci e arsim.

Nuk kërkojmë privilegje – kërkojmë vetëm që Shqipëria ta marrë seriozisht rolin e saj kushtetues si shtet atdhe.

Të mos jetë e heshtur kur cenohet integriteti i Kosovës.

Të mos përkëdhelë projekte që relativizojnë shtetësinë tonë.

Të mos anashkalojë Kosovën në tavolina rajonale që nuk janë për ne, por kundër nesh.

Të mos harrohet në përkujdesin e detyrueshëm kushtëtues, ndaj diskriminimit asimilues të shqiptarëve në trevat e tyre autoktone në jug të Serbisë, Maqedoninë Veriore, Mal të zi e Greqi.

Prandaj, për ne shqiptarët e Kosovës, zgjedhjet në Shqipëri nuk janë vetëm për rotacion politik, por janë për rotacion qasjeje.

Për një Shqipëri që na sheh si pjesë të vetes, të gjithë shqiptarëve në trojet autoktone etnike, jashtë Shqipërisë londineze.

Për një Shqipëri që nuk flet për bashkim, por që ndërton rrugën drejt tij me përkushtim, seriozitet dhe vepra.

Sepse ndryshe, “Nusja e Muruar” do të jetë veçse një legjendë pa urë, dhe Kosova do të presë përgjithmonë, pa ardhur kush ta marrë.

Zgjedhje të mbara Shqipëri!/QendraPress/