Çaste poetike me poeten;-Shqipe BYTYQI

SHTATË
———————————-
Ata s’donin t’rrisja gra
ata donin vetëm Afërdita
unë doja një Emmeline Pankhurst
që thotë, ne nuk duam të thyejmë ligje
ne duam ti bëjmë ligjet
(të shkruarat dhe të pashkruarat)
shtatë herë dështova frytin
shtatë herë i shpalla luftë Aristotelit
shtatë është numri im
shtatë herë i dhash zërit
shtatë herë kordat grykës osciluan
ky numër m’ka ndjekë tërë jetën
shtatë palë bjeshkët e legjendës
shtatë motrat në shtatë krojet
shtatë shpirtra mbaj n’vete
shtatë gjuhë të shkurtuara
shtatë herë morri n’shenjë Artemida
dhe mallkimin e sojit nuk e vrau
po aq herë më bekoj Hera
kur më nisen nuse si gruan e shtatë
edhe kur më vodhi Hadi
kur më hodhi këmishën prej errësire
kur më mbylli në të shtatën nëntokë
dhe gojën me shtatë drynj
U nisa t‘padis Aristotelin
them, jam plotni njerëzore,
domosdoshmëri jete
gjersa gris çdo gjë, që m’zë frymën
që m’lejon veç një gjysmë volumi mushkërie
një frekuencë të caktuar zëri, një ton
prandaj edhe m’tundnin para sysh
histerinë
Unë tashmë jam nisur
jam nisur
rrugës kudo shoh
një Emmeline Pankhurst
/QendraPress/