Fryma poetike e se mërkurës me poeten;-Asie Duka METUKU

Liturgjia e mungesës
——————————-
Mos më kërko në fjalë të qarta.
Unë jetoj në gërmat e pashkruara.
Në atë hapësirë ku heshtja rri pezull,
si një besim që ka harruar objektin e vet.
Unë nuk kërkoj dritën.
Unë kërkoj zjarrin që e dogji,
hijen që ajo la pas
në fytyrën e një muri që s’mban dot as kujtimet.
Çdo përgjigje më është dukur
si një dorë që prek sipërfaqen e një thellësie
që nuk do të preket.
Nata?
Nata është gjithçka që kam ditur ndonjëherë vërtet.
Jo për t’u fshehur,
por për të jetuar pa iluzionin se dielli është më i sinqertë
se një hije që qëndron përballë dhe nuk lëviz.
Nuk dua të kuptoj më.
Sepse kuptimi është një rrjetë që kap veç ato gjëra
që kanë harruar të fluturojnë.
Dua të humbas.
Të humbas në atë zbrazëti që nuk kërkon emër.
Sepse vetëm atje,
vetëm në zbrazëti,
kam qenë ndonjëherë plot.
/QendraPress/