Çaste poetike me poeten;Nita BARDHI

TRI HIJE E GJYSMË
——————————-
Në mesnatë
ndejti në verandë vetëm.
Ajo,
me tri hije e gjysmë prapa
sheshonin sekretet që s’ia mbajtën kurrë njëra-tjetrës.
E vogël,
e brishtë
i hidhej në shpinë guximit
teksa ai vraponte butë shtigjet që s’i kishte pa kurrë.
I fliste të gjitha gjuhët e botës me buzëqeshje.
Gëzohej me karamele,
qante kur s’shihte përreth zemra
dhe priste fajet ti përcillte me përqafim.
Asnjë e metë
në hijen
që lëkundte shilarësen e oborrit tim.
Me shtat që i hedhej,
me frikë pa emër
e lojën që iu duk që s’duhet të luante më,
qante për karamelet
e gëzohej kur s’kishte zemra përreth.
Plot të meta
të dukshme vetëm për dy sy në botë.
Pas fajeve
përqafim nuk donte,
hija e mbyllur
bashkë me fjalët e veta
mes muresh që pëshpërima i shponte.
Me habi çeli mëngjeset
mbylli mbrëmjet
teksa nuk shihte shtatin e vet në pasqyrë.
Asnjë karamele,
plot faje pa përqafim,
pafund zemra përreth,
por secila shmangte shigjetën e saj.
Kapte fatin përfyt
hija që bridhte pa vetveten
qytetit mes e skaj.
Jo e plotë,
rehatshëm mbërthen këmishën e qepur me të metat e veta.
Me karamele bën gushore në qafë,
mban orë në dorën e fatit,
lë shenja buzësh nëpër faqet e fajeve
e i flet të gjitha gjuhët e botës me sy.
Shpon me shigjetë çdo zemër
teksa në shënjestër ka të veten.
E ulur në verandë
bashkë me dritën që pluskon
rrin e pret gjysmën tjetër.
Athua pas sa dhjet’sheve
do t’quhet hije e vjetër?!
/QendraPress/