KUR HESHTJA FLET MË SHUMË, DAKORTËSOHEN ME TË KEQEN. –Shkruan; Bashkim Hoxha,analistë politik.

Sot më të heshturit ndaj veprimeve të politizuara të Gjykatës Speciale janë pikërisht ata që dikur bënin më së shumti zhurmë “për të mos e votuar atë”.
Për këdo që e ka kuptuar me kohë, ishte e qartë se Vetëvendosje nuk shqetësohej sinqerisht për formimin e Speciales apo për padrejtësitë që mund të ndërmerrte ndaj UÇK-së. Ajo përdorte slogane të forta vetëm si mjete propagande, për të prekur ndjenjat e njerëzve dhe për të fituar kapital politik në një çështje të ndjeshme kombëtare.
Heshtja e Vetëvendosjes ndaj veprimeve tërësisht të politizuara të kësaj gjykate është një formë dakordësie shumë e qartë, e hapur dhe krejtësisht e tejdukshme me gjithçka po ndodh në Hagë ndaj liderëve të luftës.
Personalisht, ndihem i çuditur dhe nuk arrij ta kuptoj se si disa veprimtarë të hershëm, ish-të burgosur politikë, njerëz me bagazh kombëtar e intelektual, ende sot nuk i kuptojnë hilet dhe manipulimet e Albin Kurtit në lidhje me këtë temë.
Vërtet nuk po kuptojnë, apo janë dakord me to?
Kjo është pyetja.
Sidoqoftë, është çështje ndërgjegjeje dhe ndjenjë përgjegjësie e secilit.
Le ta imagjinojmë sikur kjo gjykatë të mos ishte votuar dhe si pasojë Kosova të sanksionohej, të izolohej, dhe pavarësia e saj të vihej në pikëpyetje. A do të rrinte e heshtur Vetëvendosje? Përgjigja është,JO e madhe, nuk do të qëndronte e heshtur:
-Do të thërriste për dhunë, përmbysje e shkatërrim të çdo gjëje të ndërtuar në këtë vend. Do të kishim një situatë krejt tjetër.
Mosvotimi i mundshëm nga Hashim Thaçi dhe të tjerët do të përdorej si kauzë kundër tyre:
-do të akuzoheshin për “shkatërrim të Kosovës për ta shpëtuar veten”.
VV ndonëse në pushtet për një mandat të plotë dhe me fuqi të madhe numrash, nuk tha asgjë, nuk e foli një fjalë. Nuk thotë as sot e kësaj dite, ajo hesht. Por komentuesit dhe propagandistët i ka aktivë kudo, në çdo cep, lagje, rrjete sociale e në komentime portalesh. Është thënë the vazhdon të thuhet: zyret e saja kanë aktivizuar njerëz me pagesë për të hapur me dhjetra profile secili, dhe për ta sulmuar dhe përbaltur këdo që thotë një fjalë ndryshe nga pushteti!
Slogani “e kanë votuar Specialen për ta shpëtuar veten” ende vazhdon të jetë i gjallë. Në fakt, e kundërta është e vërtetë!
Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli kanë qenë të vetëdijshëm, më shumë se kushdo tjetër, se Gjykata Speciale do të merrej pikërisht me ata. Çdo njeri me mend në kokë e ka kuptuar se një gjykatë e këtij lloji nuk do të merrej me “organizatorët e koncerteve të diasporës dhe biletashitësit e tyre”; nuk do të merrej as me Albin Kurtin, Isa Mustafën, Nexhat Dacin, Fatmir Sejdiun, Melihate Tërmollin, Dimal Bashën, Fitore Pacollin, Eqrem Kryezjun, Albulena Haxhiun, Jahja Kokën, Agim Bahtirin, Artan Abrashin, Lutfi Hazirin, Adem Saliajn, Astrit Haraqinë, Ukë Rugovën, Dejona Mihajkin, Nezir Krrakin, Behgjet Pacollin … e as me ndonjë “roje fshati” që “ruante vendbanimin me duar në xhepa pa armë”, për ta “mbrojtur popullin” !
Sigurisht Specialja do të synonte pikërisht ata që e udhëhoqën dhe e fituan luftën e armatosur/çlirimtare.
Nuk mund të ndodhte ndryshe. Qarqet anti-Kosovë kanë lobuar për vite të tëra që të vihej në dyshim lufta e drejtë e UÇK-së, orientimi i saj i pastër çlirimtar dhe demokratik. Dhe për pasojë, të vihej në pikëpyetje vetë shteti i Kosovës: pavarësia, legjitimiteti i saj ndërkombëtarë dhe qëllimi final: anëtarësimi në OKB, integrimi në familjen euro-atlantike dhe mekanizmat tjerë relevantë ndërkombëtarë.
Ata që po heshtin, është mirë të shikojnë në pasqyrë dhe të pyesin veten: çfarë po mbrojmë me këtë heshtje ?
A thua vallë- e kuptojnë vetveten e tyre? A po kanë mision të caktuar ? Kjo herët a vonë do të dalë sheshit. Historia edhe vonon, por nuk falë dhe, mirë që nuk falë./QendraPress/