Gjeneral Hisen BERISHA-Fjalim për akademinë përkujtimore dhe varrimin e veteranëve të luftës së UÇK Bashkim (Abedin) Krasniqit

Të nderuar familjarë, bashkëluftëtarë, miq, qytetarë të Malishevës dhe mbarë Kosovës,

Të nderuar përfaqësues të institucioneve dhe të jetës publike,

Zonja dhe zotërinj,

Sot jemi mbledhur këtu, për të ndarë dhimbjen e një humbjeje të madhe, për të nderuar jetën, veprën dhe sakrificën e një burri të madh – Bashkim (Abedin) Krasniqi, atëherë, një i ri, lindur më 15 nëntor 1967, në fshatin Drenovc të Malishevës – një trevë që përherë ka lindur burra të vërtetë, që e kanë dashur këtë atdhe jo me fjalë, por me vepra, me mund dhe me gjak.

Rruga e tij drejt pavdekësisë nisi më 6 prill të vitit 1999, kur pa hezitim iu bashkua radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Brigadën 138 “Agim Ramadani”, në Batalionin e parë të këmbësorisë “Bashkim Jasiqi”.

Fronti i Koshares, ku ai qëndroi e luftoi me armë në dorë, ishte vendi ku përcaktohej fati i lirisë sonë.

Ishte aty ku u çel një faqe e re në historinë tonë, aty ku Bashkimi, me shokët e tij, me dinjitet, guxim, gjak e sakrifica e bënë betejën më të lavdishme të luftës sonë çlirimtare.

Ai zgjodhi frontin e lavdisë – Kosharën – atje ku kufiri u ça me pushkë, me gjak e me flijime heronjsh. Atje ku kombi ynë i tha botës se liria nuk jepet – liria fitohet! E Bashkimi ishte aty, krah për krah me më të mirët e kësaj toke.

Ai nuk kërkoi asnjëherë emër, titull apo privilegj. Ai kërkoi vetëm lirinë e popullit të vet. Dhe për këtë liri, I qëndroi luftës deri në fund. Deri më 19 shtator 1999, kur doli nga radhët e UÇK-së, jo si një njeri i thjeshtë, por si një shtyllë e historisë. Jo si një luftëtar i zakonshëm, por si një ruajtës i nderit tonë kolektiv, të cilit i qëndroi besnik deri në fund, deri në ditën e demobilizimit, kur edhe përmbyllet misioni luftarak i UÇK, më 19 shtator 1999, e deri me 17 Maj të këtij viti kur e përmbylli edhe misionin e tij jetësor për familjen, kombin, atdheun, Bashkimi mbeti përherë një ushtar i kauzës së shenjtë të lirisë, duke u lënë fëmijëve dhe shokëve një amanet – Atdheun.

Sot, kur e përcjellim në banesën e fundit, e përcjellim si një njeri të realizuar në jetë. E përcjellim një simbol. Një dëshmi të gjallë të rezistencës sonë, të qëndresës dhe të dinjitetit kombëtar. E përcjellim një bashkëluftëtar, një mik, një djalë e prind që me jetën e tij na mësoi ç’është besnikëria ndaj atdheut.

Sot po e përcjellim një monument gjallërie kombëtare.

Sepse, Ai ishte “bashkim” me emër, dhe bashkim me ideal e me amanet.

Ai është mesazh për ne që po mbetëmi:

– Se lufta nuk ishte për pushtet, por për drejtësi!

– Se Kosova nuk është pronë partish, por gjak dëshmorësh!

– Se liria nuk është lodër në duart e të paaftëve, por barrë në shpinën e të ndershmëve!

Prandaj, në këtë ditë zie e lavdie, le të bëjmë betimin tonë:

Ne nuk do të harrojmë!

Ne nuk do të lejojmë që emrat e Deshmorëve e Heronjëve si Bashkimi të mbesin në heshtje.

Ne do ta ruajmë këtë shtet, këtë gjak, këtë nder, sepse është ndërtuar mbi supet e burrave si ai, e i ka rtënjët në gjakun e derdhur për Liri!

Ne, do ta kujtojmë jetën e tij si një frymëzim të përhershëm. Le të jetë Një emër që u mëson brezave të rinj se Kosova nuk u bë rastësisht, por u ndërtua mbi sakrificën e njerëzve si ai.

Lavdi përjetë Bashkim (Abedin) Krasniqit!

Lavdi të gjithë bijve dhe bijave që i dhanë emër Kosovës!

I lehtë i qoftë dheu i atdheut – ai dhe vetëm ai, për të cilin ai jetoi, luftoi dhe u bë përjetësi!