Çaste poetike me poeten:-Luljeta LUBOVCI

Flokët me thinja

————————-

Flokët me thinja – nuk janë plakje,

Janë fletë kujtese mbi ballin e qetë,

Janë netë pa gjumë e dritare që ndalën,

Janë hapat e jetës që s’mbeten sekret.

Nuk janë vetëm ngjyrë që ikën me kohën,

Janë heshtje që flet më shumë se një fjalë,

Janë buzëqeshje që nuk i trembet dhimbjes,

Janë plagë që shërohen me mall e me zjarr.

Flokët me thinja – janë borë në pranverë,

Janë dritë që rrjedh nga një diell i vjetër,

Janë gjurmë dashurie në çdo fije,

Janë prindërit tanë – gurë të një jete të thjeshtë.

/QendraPress/