Fryma poetike e së dielës me poeten;- Sadbere GAGICA

ËNDËRROVA LOTIN

———————————-

Prek tërë dridhje,

Udhëve të Kosovës,

S’më njohin as rrugica as zogj.

Gjurmë lumturie sa më pikëllojnë,

Nga buzëqeshja ika në lot,

Një melodi mërgimi nga gjumi më zgjon,

Retë e turbullta me xhelozi më trazojnë,

Qielli më ngushëllon…

Pika loti gjurmëve në baltë

Si në mjegull vendlindjen kujtoj,

Me këngën e fëmijëve vrapoj…

Si e dehur këndoj…

Endem duke belbëzuar vetëm fjalë,

Fjalët e gjakosura të shpirtit!

Ngadalë pëshpërit dhe buzët dridhen në vaj,

Loti rri pezull në baltë,

Me hapat e zemrës…

Drejt qyteteve të mëngjesit ia fal mallin,

Në horizontin e ngrysur,

Rrëshqitja në sipërfaqen e jetës,

Si sorkadhja veshur me të zezë!

/QendraPress/