Çaste poetike me poeten;-Flora PECI

IKE PA LAMTUMIRË

( KUSHTUAR VËLLAIT TIM

AFRIMIT I CILI U VRA NGA FORCAT SERBE)

————————————–

Ike si hije në mes të dritës,

si puhizë që s’pyet për tokën

kur ia rrëshqet kujtimet nga gishti.

Fjalët e tua mbetën në ajër

si gjethe që nuk ranë kurrë.

Në sy më dhe një vjeshtë të re,

të paemër, të paadresë—

atëherë kuptova:

disa stinë nuk kanë kthim,

vetëm gjurmë mbi xhama të mjegullt.

Çfarë ishim, u tret në heshtjen

që rri pezull mes “ndoshta”-ve

e “asnjëherë”-ve.

U shua pa zhurmë ajo dritë,

si një kandil në tempullin bosh

të një shprese të harruar.

Por mos harro—

edhe retë kur ikin,

mbartin brenda shiun që nuk ra kurrë.

/QendraPress/