11 Korriku – Dita e Popullsisë në kohën e rënies demografike dhe kujtesës historike/Shkruan; Hisen Berisha,analist politik

Kosova, sikurse shumë vende të rajonit dhe më gjerë, sot përballet me një sfidë ekzistenciale që shpesh mbetet nën radarët e debatit publik: rënien dramatike të popullsisë dhe plakjen e shpejtë të saj. Sipas të dhënave të fundit, vendi ynë është në rrugë të sigurt drejt zvogëlimit të numrit të përgjithshëm të popullsisë, për pasojë të disa faktorëve që ndërthuren: shkalla e ulët e lindshmërisë, emigrimi masiv, mungesa e perspektivës afatgjatë, dhe një krizë e thellë e besimit në të ardhmen brenda vetë shoqërisë.

Sot, në Ditën Botërore të Popullsisë, është më e nevojshme se kurrë të flasim hapur për shkaktarët që po e fundosin strukturën demografike të Kosovës:

– Fertiliteti në rënie – jo vetëm si pasojë biologjike apo ekonomike, por si shprehje e një krize kulturore që e ka përmbysur konceptin tradicional të familjes dhe i ka relativizuar përgjegjësitë njerëzore për vazhdimësinë e jetës.

– Varfëria sociale dhe papërspektiva – me mungesë të punës, strehimit, edukimit cilësor dhe infrastrukturës familjare të qëndrueshme, shumë të rinj nuk guxojnë më të ndërtojnë jetën këtu.

– Emigrimi si mjet mbijetese – një eksod që nuk ndalet prej dekadash, jo vetëm për arsye ekonomike, por gjithnjë e më shumë për mungesë të shpresës. Po emigrojnë jo më vetëm të papunët, por edhe profesionistët, mësuesit, mjekët, prindërit e rinj dhe studentët më të mirë.

– Mosintegrimi dhe përjashtimi shoqëror – shumë të rinj e shohin veten jashtë rrjeteve të mundësive dhe zhvillimit, të margjinalizuar në sistemin arsimor, punësim dhe vendimmarrje.

Në këtë datë që përkon me përvjetorin e gjenocidit serb në Srebrenicë, 11 korriku merr edhe një domethënie më të thellë: luftërat, spastrimi etnik, gjenocidet dhe pasiguritë e përhershme, kanë qenë ndër faktorët më rrënues të strukturës demografike të rajonit tonë. Kosovën nuk e ka lënë vetëm mungesa e lindjeve, por e ka rrënuar edhe humbja e jetëve gjatë luftës, dëbimi i popullsisë, traumat kolektive dhe mungesa e një paqeje të sigurt afatgjatë.

Pra, nuk jemi përballë një sfide thjesht statistikore, por përballë një krize që prek vetë identitetin, qëndrueshmërinë dhe ardhmërinë e vendit tonë. Nëse nuk e përballim me seriozitet këtë krizë – jo vetëm me fushata, por me politika të mirëfillta sociale, kulturore, ekonomike dhe edukative, atëherë do të na mungojë vetë baza mbi të cilën ndërtohen shtetet: njeriu, familja dhe trashëgimia e tyre në vendin e vet./QendraPress/