Fryma poetike e së dielës me poeten;Shqipe BYTYQI

SREBRENICA
(Në 30 vjetorin e masakrës)
——————————-
Zonjë, je vonuar të vish këtu
pas nëntë rrathësh ferri
që ata kësaj toke sollën
E pasi farën e tyre mbollën
tokën, si me thika, e prenë
dhe ikën, u larguan ata, zonjë
Shkuan, jo larg nga këtu
shkuan drejt Kosovës
me urrejtjen në shpirt mbërthyer
me dëshirën e gjaktë
me atë që më së miri dinë
vrasje kombesh
e pushtim tokash
Drejtësi, je vonuar të vish këtu
Ata, edhe në këtë shekull
duan ngjitje në skenë
të njëjtën dramë për të shfaqur
me të njëjtin epilog
Zonjë, shiko me kujdes
sytë e tyre
etjen për gjak
zonjë…
Pastaj ra nata
Kurrë nuk e kuptova
a mund të prehen shpirtrat në terr
/QendraPress/