Çaste poetike me poetin;-Sami MULAJ

POEZI E PREMTUAR
———————————–
Në strofën
ku vargjet në gjunjë
me radhë ngjyejnë në gjymin e çanakut pa fjalë,
lugët e drurit pa u ngi
në sofrën thatë
kërcasin si nyejt e gishtave të hollë e të gjatë,
poeti e heshtja e tij e ngrimë,
muza pa gojë
e ngratë.
Mendimet
një Saharë e djegur prej thatësirës,
u ulën për të gjetur hijet,
shkreptimat i gjuajtën,
rrufetë edhe hijet i vranë.
Poezia e premtuar
të vinte
nuk erdhi kurrë,
mbeti si e çmendur rrugëve
e kurrë nuk diti me ardhë.
Por, tek varri i poetit
pa lot vjen vërdallë,
e tund fustanin
e tek kryet e varrit
si një e përdalë
i nxjerr jashtë shalët…
S.Mulaj
Qershor 24, 2025
New Jersey, USA
/QendraPress/