Sot shpallet aktgjykimi ndaj Millosh Pleskoviqit për krime lufte në Prizren

Gjykata Themelore në Prishtinë pritet të shpallë këtë të enjte aktgjykimin ndaj Millosh Pleskoviqit, i akuzuar për krime lufte kundër popullsisë civile në Prizren, gjatë luftës në Kosovë.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale më 7 qershor 2024, Pleskoviq akuzohet se më 1 shtator 1998, në bashkëkryerje me një grup të armatosur prej 7–8 personash të nacionalitetit serb, ka marrë pjesë në vrasjen e tre civilëve shqiptarë: R.D., B.D. dhe F.B., si dhe plagosjen e Fevzi Canës, Xhenger Canës dhe Bashkim Kastratit.

Ngjarja ndodhi në afërsi të Prizrenit, teksa viktimat po shkonin drejt malit. Sipas aktakuzës, grupi i armatosur i kishte ndalur, fyer dhe më pas Pleskoviq kishte hapur zjarr me armë automatike të tipit “Kallashnikov”, duke lënë të vdekur tre persona në vend./Arbresh .info/