Fryma poetike e së mërkurës me poetin;-Hatip HULAJ

NË REPART
———————
Në repartin e tij, aty në një dhomë,
I shtrirë në shtrat një pacient qëndron.
Nga një sëmundje e rëndë, e pashërueshme,
Që një kohë të gjatë lëngon.
Sa herë shkon në vizitë, mundohet t’i japë shpresë –
Një buzëqeshje humane, me shumë kujdes.
Edhe ai e di që së shpejti do të vdesë,
Por fjala dhe qëndrimi i mjekut gjithmonë çon peshë.
– Si je, shoku im? A ke dhimbje, a ke përmirësim?
– Doktor, sot jam shumë i lodhur, m’duket s’kam shpëtim…
Më ka ardhur fundi, jam nisur për amshim.
– Jo, jo! Pse mendon ashtu?
Do të bëjmë kimioterapi –
Shpejt ke me u përmirësu!
Nuk e di a më besoi, por një lot i pikoi,
Ashtu i përhumbur, një ofshamë lëshoi.
Dola nga aty, shkova në dhomën time,
Me shpirt të copëtuar dhe me shumë mendime.
Çdo ditë shkenca e mjekësisë përparon,
Por karcinomat s’mund assesi t’i shëron.
Kërkohen shumë para, kërkohen shumë shpenzime
Për pak jetëzgjatje – me plot mundime.
Së paku t’u krijojmë kushte për fundin e jetës –
T’ua lehtësojmë dhimbjet në shtratin e vdekjes.
26.07.25
/QendraPress/