Fryma poetike e së mërkurës me poetin;-Sabit RRUSTEMI

DJEPI I DRITËS QË S’PËRENDON
—————————————-
E pyetën Nënën Terezë
të Shenjtën tonë
ç’bëre për Shqipërinë
gjatë gjithë kësaj kohe
që i mungoje
Ajo
me një mal rrudha e brenga
në fytyrë e në shpirtin e Saj
me një buzëqeshje që paqton
ju tha me një urtësi mitike
Jam lutur për Të
e për Popullin tim
përditë e përnatë
s’e kam harruar
as edhe një trohë herë
Kudo që kam shkuar
a kam trokitur
nuk jam fshehur nga Gjaku im
shqiptare jam
E kam thënë me zë
me zemër
e me dokument
Dashurisë sime të përjetshme
Hyjit tim që m’frymëzon
sa herë kam rënë e jam zgjuar
përmes lutjes iu kam drejtuar
Shqipërinë time
ma kthe në udhë të mbarë
ma shëro
nga ajo sëmundje që po e verdhon
M’i jep shpresë
e ma mbajë në Prehër
se është Dhe i lashtë
është djepi i dritës që s’përendon
Dhe Fuqisë më t’madhe n’Tokë
po përmes Lutjes
ia kam thënë në katër sy
“Bëje për Popullin tim
ate që e bën edhe për Popullin Tënd”
se
Lutja ime është veprim
e mision
është farë që bimon
e lëshon rrënjë
një ditë prej ditësh
jep dhe frytin që meriton
Më shumë se kaq
s’kisha ç’bëj
frytin e lutjeve t’mia
Përmes Juve
po e shijoj
/QendraPress/