Kualitet dhe jo kuotë!-Shkruan; Agnesa Thaçi KUREJSHI,juriste dhe aktviste e gruas.

Edhe pse në Kosovë pretendohet se institucionet publike bazohen mbi parimet e barazisë dhe meritokracisë realiteti dëshmon të kundërtën. Një prej dukurive më të theksuara është kufizimi i grave në ngritjen intelektuale brenda institucioneve akademike, shkencore apo administrative si pasojë e paragjykimeve të rrënjosura thellë në kulturë.
Këto paragjykime nuk manifestohen gjithmonë në forma të dukshme; shpesh ato shfaqen në mënyra të nënkuptuara sikurse dyshimi mbi aftësitë e grave ose mbivlerësimi i rolit të burrave në pozita lidershipi. Në këtë mënyrë krijohet një “rezervim i heshtur” ku gratë përballen me një tavan të padukshëm që u ndalon të shfaqin potencialin e tyre të plotë (të frikësuara nga stereotipet e shoqërisë) e të cilat në mënyrë të pavetëdijshme mbeten të pazhvilluara në aspktin intelektual për tërë jetën.
Nga një këndvështrim intelektual ky fenomen nuk është vetëm padrejtësi sociale por edhe humbje kolektive. Përjashtimi i grave ( ose vetpërjashtimi) nga proceset vendimmarrëse dhe akademike do të thotë më pak perspektiva më pak ide dhe më pak inovacion. Çdo shoqëri që nuk e lejon tërë kapitalin e saj intelektual të lulëzojë është e dënuar të zhvillohet më ngadalë dhe me pabarazi të brendshme.
Prandaj, sfida kryesore është dekonstruktimi i paragjykimeve përmes arsimit, politikave të barazisë dhe një kulturë institucionale që i vlerëson meritat mbi stereotipet gjinore. Vetëm atëherë mund të zhduket rezervimi i grave në ngritjen intelektuale dhe të garantohet një shoqëri ku potenciali i secilit individ shihet si aset dhe jo si kërcënim.
Nëse e shohim në mënyrë racionale paragjykimet nuk kanë vlerë reale në jetën tonë – ato nuk masin njohuri, nuk krijojnë aftësi dhe nuk japin rezultate konkrete ( faktori i tyre është 0). Megjithatë, rëndësia u jepet sepse veprojnë si besime kolektive të cilat ndikojnë mbi perceptimin, vendimmarrjen dhe mënyrën si individët trajtohen në shoqëri. Pra, edhe pse në thelb faktori i tyre “real” është zero, efekti i tyre social është i madh – do të thotë ka peshë subjektive sepse shoqëria shpesh i’a atribuon rëndësinë që në fakt nuk i takon.
Me punë dhe parime, përpara!/QendraPress/