Çaste poetike me poeten;-Farie BISHA

Portret
————————–
Ah, ai vështrimi yt!
Ndërsa vëzhgoja linjat e syve
bëja një prekje të lehtë me imagjinatë.
Me majën e gishtave do të përkëdhelja
dallgët e flokëve dredhur në shpinën e bukur.
Pastaj ballin e brishtë, lëmuar nga valët e detit.
Do të kapërceja mbi vetullat,
të harkuara përgjatë bregut.
Mbi qerpikët e tu, oh, sa do do të pushoja!
Do të vështroja pa dyshim dy sytë blu
përzier me të kaltërën turkeze.
E zeza pikë në qendër do t’më hipnotizonte
me dritën e bardhë, shkëlqimi jete.
Aty do të lindëte pyetja shekspiriane:
Të rrosh, a jo, për ata sy të bukur!
Në ekuilibër do të ecja përgjatë hundës modiliane
për të ngjyrosur me të kuqen e Onufrit,
të trëndafiltat buzë.
Po të isha mashkull do e përshkruaja
kështu portretin e një gruaje.
Meqë grua jam dhe artin e dua,
portretin e një burri provoj ta përshkruaj
me lapsin mes gishtave dhe gomën pa e prekur:
Në flokët e tij erërat luftën kanë pushuar.
Vijat e ballit, shenjat e valëve
në rërën e lagur pas zbaticës.
Dy sytë e thellë shpirtin kanë prekur.
Janë të lagura nga vesa e mëngjesit
a ndrijnë nga refleksi valëve të detit?
Jam në mëdyshje, më mirë të themi.
Kur ata sy lagen janë vetë uji i bekuar …
Shpesh thahen para se të dalin.
Se ashtu i kanë mësuar…
Ndërsa është normale,
si ajri që thithim…
Janë burim i pa mbaruar.
Ndaj nuk duhen fshehur.
Kur ato lotë i besohen një gruaje,
pa patur frikë të jetë i gjykuar,
buzë të mishta puthin mbrekullinë e tetë.
Në atë moment të caktuar,
“Davidin e Mikelanxhelos “
beson çdo grua,
të ketë në krahët vetë…
/QendraPress/