Fryma poetike e së dielës me poeten;-Blerta Ferizi KRASNIQI

Krahët e shpirtit
——————————–
Mos ia lidh kambët kalit, e mandej me i thanë: “Vrapo!”.
Se kali i lidhun veç lotin e shkel mbi dhe.
Mos ia mbyll dritaren shpirtit, e mandej me i thanë:
“Shiko qiellin!”.
Se ai që rrin në terr, veç hijet i njeh.
Mos ia shuaj kangën zogut, e mandej me i thanë:
“Këndo për mue!”.
Se kangë e heshtun s’del ma prej gjoksit.
Mos ia thyej besën mikut, e mandej me i thanë:
“Qendro!”.
Se besa kur thyhet, si uji derdhet e s’kthehet mbrapsht.
Mos e mbyll zemrën me dry, e mandej me i thanë:
“Duaj!”.
Se dashnia s’hyn n’burg.
Mos u sill me gënjeshtra, e prit t’vërteta.
Mos jep helm, e prit mjaltë.
Mos jep gurë, e prit lule.
Mos ia shuaj flakën qiririt, e mandej me i thanë:
“Ndriço natën!”.
Se dritë pa zjarr s’ka.
Mos ia mshel burimin ujit, e mandej me i thanë:
“Rrjedh!”.
Se lumi i mbytun s’gjen ma udhë n’det.
Mos ia thyej pasqyrën shpirtit, e mandej me i thanë:
“Shih veten!”.
Se copa të thyeme s’ban fytyrë t’plotë.
Mos e helmo tokën, e mandej me i thanë:
“Lind gjelbërim!”.
Se dheu s’jep lule, kur farat janë helm.
Mos e mbulo diellin me duar, e mandej me i thanë:
“Ndize mëngjesin!”.
Se drita s’jeton nën hijen e shpirtit.
Jeta âsht qark, çka qet, kthehet.
Si jehonë në mal, çka thue, ta kthen.
Si farë në dhe, çka mbjell, atë korr.
Nëse don ndryshim, mos prit prej botës.
Ti bahu drita që shemb terrin.
Ti bahu shiu që shuen etjen.
Ti bahu era që çon lart krahët e thyem.
/QendraPress/