Çaste poetike me poeten:-Shyrete DEMAJ

E bukura e dheut.

———————————

Stambolli, kërthiza e botës

ku zbresin yjet mbi Marmara,

netët e ndezura epshi vallëzojnë

belidance muzgjesh

përflakin bosforin, allah allah..

Anijet si pulëbardha shtrirë në lutje

ndërsa era merr me vete këngët e lirës

për të bukurën Aja Sofia.

Nën minare fle historia vezulluese

e shpatave,

nën këmishë fshihen hajmalitë,

komplote pushtetesh.

Hamamet shpërlajnë mëkatet e zhveshura

e veshin haramet me kostume të mëndafshta.

Dy brigje, dy kontinente

të lidhura me urat “dashuri e përjetshme”

urat në këmbë i mbajnë vargjet e poetëve.

Hanëmat mbajnë arin e botës

bardhgushës së mesdheut.

Koha bën pazare shekujsh

në “Kapali Çarshi.”

Kostandinopoja, e bukura e dheut.

/QendraPress/