Rektori Alishani zgjidhet kryesues i Konferencës së Rektorëve

Në mbledhjen e Konferencës së Rektorëve të institucioneve publike të arsimit të lartë, e mbajtur sot në Universitetin e Prishtinës, me vota unanime rektori Prof. Asoc. Dr. Mentor Alishani u zgjodh kryesues i këtij forumi. Ndërkohë, për pozitën e zv.kryesuesit, sipas rrotacionit, u zgjodh rektori i Universitetit “Haxhi Zeka” të Pejës, Prof. Dr. Armand Krasniqi.

Mbledhja, e cila filloi me miratimin e ekstraktit të procesverbalit nga takimi i mëparshëm në Mitrovicë dhe vazhdimi i saj në Gjilan, vijoi me nënshkrimin e marrëveshjeve shumëpalëshe të bashkëpunimit mes institucioneve publike të arsimit të lartë në Kosovë. Këto marrëveshje synojnë forcimin e bashkëpunimit akademik, shkëmbimin e përvojave dhe ngritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe kërkimit shkencor.

Një pikë e rëndësishme e rendit të ditës ishte edhe diskutimi mbi proceset e akreditimit të programeve të universiteteve publike dhe sfidat që lidhen me regjistrimin e studentëve, sidomos në drejtim të harmonizimit të programeve dhe garantimit të standardeve cilësore.

Në përmbyllje të mbledhjes, u theksua rëndësia e Konferencës së Rektorëve si forum i përbashkët i universiteteve publike për adresimin e çështjeve strategjike dhe nxitjen e zhvillimit të arsimit të lartë në vend.