Nuk mund të zhvillohet Kosova në izolim dhe me ikje masive të popullit:-Shkruan; Ruzhdi GASHI avokat

Kosova ndodhet në prag të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit 2025. Si gjithmonë, partitë politike po premtojnë zhvillim ekonomik, hapje të vendeve të punës dhe rritje të mirëqenies. Por realiteti është se premtimet nuk kanë pasur kurrë peshë të vërtetë, ndërsa qytetarët vazhdojnë të besojnë për shkak të inercionit të çlirimit dhe bindjes se politikanët shqiptarë janë “tanët”, duke harruar se edhe ata mund të jenë po aq të dëmshëm sa okupatori i dikurshëm.

Kjo klasë politike, në ikje, premtoi madje se do të korrigjonte “gabimin” e komandantëve të UÇK-së, të cilët e bënë Kosovën Republikë të Pavarur e jo pjesë të bashkimit kombëtar. Ata u paraqitën si patriotë të rinj, me premtime për ndërrimin e flamurit, moskrijimin e Asociacionit për serbët dhe luftë kundër korrupsionit. Në vend të rezultateve, Kosova përjetoi izolim të thellë ndërkombëtar, prishje të raporteve me SHBA-në, sanksione, stagnim ekonomik, korrupsion masiv, varfëri ekstreme dhe ikje masive të popullit.

Historia po përsëritet: si në shekujt XVIII dhe XIX gjatë sundimit turko-sllav, popullsia shqiptare po detyrohet të braktisë vendin. Shpresa për jetë në Kosovë është afër zeros.

Kosova nuk ka sakrifikuar për këtë gjendje. Lufta nuk është bërë për të zbrazur vendin, as për t’ia lënë pasuritë një grushti njerëzish. Gjendja është e padurueshme dhe fushatat zgjedhore në këtë formë janë farsë. Por megjithatë, zgjedhjet mbeten mjeti më i drejtë dhe më demokratik për ndryshim.

Prandaj duhet të kuptohet:

• Pa daljen nga izolimi, nuk ka zhvillim.

• Pa zhvillim, nuk ka mirëqenie.

• Pa mirëqenie, nuk ka demokraci.

• Pa demokraci, nuk ka siguri.

• Pa siguri, nuk ka shtet.

Kosova ka nevojë për mobilizim qytetar e politik për ta mbrojtur shtetin dhe për të rikthyer shpresën./QendraPress/