Fryma poetike e së dielës me poetin;- Imer HYSA

VJESHTAT E MIJA TË HERËSHME

——————————————

Më vijnë ndër mënd vjeshtat e mija

Ashtu të arta, si zgjim në jetë

Të mbushura deng nga fëmijëria

Me mall kujtimesh nëpër degë.

Me vijnë ndërmend netët e larg’ta

Tinguj muzike që mbushnin qiellin

Zëra gazmorë, ëndrra të zjarrta

Vajzat e bukura ndrronin mbiemrin.

Ndërmend më vijnë oborre shkolle

Që gumëzhinin etshëm për dije

Më vijnë pastër ëndrrat rinore

Si qiell shtatori me hën’ e yje.

Kujtoj gjyshen mbushur përparësen

Me mollë të kuqe e ftonj të verdhë

Me rroba i ruante brënda arkës

Për t’na i dhuruar në pranverë.

Më vjen ndërmend ëndrra që shihja

Gjyshes me ankth tek ja tregoj

“Mos i beso bir, gjethet bien

Në vjeshtë ëndrra nuk gjykon”.

Ndër mend më vijnë vjershat për vjeshtën

Stinën e bukur të begatisë

Ah sot malli e theu heshtjen

Shfletoj kujtesën si revistë.

/QendraPress/