Çaste poetike me poeten;- Raimonda BRAHA

Dhe ja, një vit kaloi…
——————————-
Dhe ja, një vit kaloi…
pa trokitur fort në derë,
Erdhi, më mori përdore
më mësoi të ec edhe në terr.
Më çoi në lartësi ku fryma më merrej
nga mrekullia,
Pastaj më uli ngadalë,
të shihja rrënjët e mia.
Sa shumë ndjeva… mora frymë ,dhe nuk fola,
Sa herë qesha… kur brenda shpërtheja
si vullkan.
Por s’kishte dorë të më ndalte ,
U ngrita nga vetja, si nga hiri një Titan.
Ky vit më mësoi të dua veten pa kushte,
Të mbledh copat e mia,
si yje të rënë në grusht.
Të ndalem e ti fal vetes gabimet,
Të mos kërkoj më dritë jashtë,
kur e kam në shpirt.
U rrita… jo me vite, por me thellësi,
U bëra stinë që s’ndalet nga stuhi.
E sot, në këtë ditë që mban emrin tim,
S’e shoh më ditëlindjen
si festë , por si shenjtërim.
Sepse jam këtu me plagë që flasin,
Me sy që nuk tremben, por rrëfejnë pa frikë.
Me zemër që rreh jo vetëm për të tjerët,
Por më në fund, edhe për mua…
për veten time.
Dhe ja, një vit kaloi… e unë jam këtu,
Më e fortë, më e butë, më unike se kurrë.
Nuk kam gjithçka kam ëndërruar ,
por kam gjithçka dua , të dashurit e mi ,
Dhe kjo mjafton, për të nisur një vit të ri
me shpirt të lirë e qetë plot mirësi …
/QendraPress/