A do të rritet sërish çmimi i energjisë elektrike?

ZRRE-ja, e cila në fillim të muajit shtator paralajmëroi rishikim të tarifave të energjisë elektrike, tash e një javë nuk ka dhënë asnjë përgjigje nëse do të ketë shtrenjtim apo ulje të tarifave të rrymës.

Kjo pasiguri vjen në një kohë kur rritja e fundit e çmimit të energjisë elektrike për 16.1% në prill të këtij viti vazhdon të reflektojë në mënyrë të drejtpërdrejtë në çmimet e produkteve ushqimore në tregjet e Kosovës.

Drejtori i Dhomës së Tregtisë, Kushtrim Ahmeti, ka thënë se një rritje tjetër eventuale e çmimit të energjisë elektrike do të sillte sfida të reja për qytetarët dhe ekonominë e vendit.

“Ne veç i shohim pasojat e para që është rritja e importit dhe zvogëlimi i eksportit…”, deklaroi Ahmeti.

Pavarësisht faktit që Kosova ka rezervat më të mëdha të thëngjillit në rajon, vendi vazhdon të mbulojë një pjesë të madhe të konsumit të energjisë elektrike përmes importit. KESCO, ndonëse i ka thënë RTV21 se do të ofrojë statistika për përqindjen e importit gjatë kësaj periudhe për të gjithë konsumatorët, deri më tani nuk ka lejuar qasje në këto të dhëna.

Sipas disa të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), në maj të vitit 2025, Kosova ka importuar rreth 82% të energjisë së konsumuar. Ky nivel i lartë importi është bërë objekt hetimi nga Komuniteti i Energjisë në Vjenë dhe Zyra e Rregullatorëve të Energjisë në Lubjanë, për shkak se, ndonëse në shumicën e vendeve të botës çmimi i energjisë elektrike ka rënë, në Kosovë po vazhdon të rritet.

Ndërkohë, përveç importit të lartë për konsumatorët qytetarë, një pjesë edhe më e madhe e energjisë po importohet nga bizneset që janë inkuadruar në tregun e hapur energjetik, pas një vendimi të ZRRE-së që është cilësuar si “problematik”.

Me fillimin e vjeshtës dhe uljen e temperaturave, është rritur edhe çmimi për një megavat në tregjet ndërkombëtare të energjisë elektrike.

“Ky është vetëm fillimi, sepse çmimi i një megavati në tregun e hapur rrezikon të shtrenjtohet edhe më shumë…”, tha Ajvazi.

Tregu i hapur energjetik, i cili ka detyruar mbi 1300 biznese që të blejnë energji elektrike në tregjet ndërkombëtare, tashmë ka hyrë edhe në proces gjyqësor. Gjykata Supreme e Kosovës ka caktuar datën 5 nëntor për mbajtjen e seancës gjyqësore, pas padisë së iniciuar nga Oda Ekonomike e Kosovës kundër vendimit të ZRRE-së.