Tronditja e sotme e sistemit të drejtësisë-Shkruan: Agnesa Thaçi KUREJSHI,magjistre në Shkencat Juridike.

Vrasja e një gjyqtari është një ngjarje që trondit jo vetëm jetën publike por edhe themelet e sistemit të drejtësisë dhe të vet shtetit ligjor. Ajo përfaqëson një akt ekstrem që godet jo thjesht një individ por institucionin që ai përfaqëson – drejtësinë si shtyllë themelore të rendit publik.Në aspektin juridik ky akt përbën vrasje në rrethana rënduese pasi motivi lidhet ngushtë me ushtrimin e detyrës shtetërore dhe në kuptimin më të gjerë kosiderohet një sulm kundër sistemit kushtetues që garanton ndarjen e pushteteve dhe sundimin e ligjit. Nga këndvështrimi institucional vrasja e një gjyqtari siç ndodhi sot në një nga sallat e gjyqit në Shqipëri cënon pavarësinë e gjyqësorit dhe autoritetin e tij moral. Pa marrë parasysh nëse subjektivisht pala e ka konsideruar se vendimi është i padrejtë kjo është mënyra më e keqe e reagimit e aq më pak nëse bëhet fjalë për kontest pronësor. Ekzistojnë mekanizmat juridik – parimi i shkallshmërisë. Një sistem drejtësie që nuk është në gjendje të mbrojë gjyqtarët e vet përcjell mesazhin e dobësisë dhe ekspozimit ndaj presioneve të jashtme duke lëkundur besimin e qytetarëve te drejtësia. Në këtë mënyrë akti kriminal shndërrohet në një mjet frikësimi që mund të ndikojë në vendimmarrjen e gjyqtarëve të tjerë dhe të krijojë klimë pasigurie në ushtrimin e detyrës. Andaj mund të themi se vrasja e një gjyqtari nuk është vetëm një krim individual por një ngjarje me pasoja të mëdha juridike shoqërore dhe morale. Këto ngjarje trondisin besimin e publikut si dhe cënojnë autoritetin e gjyqësorit meqenëse në këtë rast nuk është cënuar vetëm individi por është cënuar salla e gjykimit, është cënuar e gjithë sistemi gjyqësor./QendraPress/