Fryma poetike e së mërkurës me poeten;-Miranda KABASHI

VETMIA E NJË NATE
————————–
Petale trëndafilash flenë mbi tavolinë,
qirinjtë e fikur,
në fund shandanësh tretur.
Në hijet e duarve pas lojës
me violinë disa gota vere,
me shenja buzësh mbetur.
Këmishën pas dere,
e vesha këtë natë,
të ndjeja ngrohtësi
në trupin e vetmuar.
Dhe koha e ndarjes,
kyçur në sahat,
e zbehtë si një yll
në qiellin e harruar.
Nga dritaret hapur,
hëna dhuron dritë,
errësirë e muzgut,
shtegut arratisur.
Sytë e dëshpëruar,
fshehur në një pritë,
mendimet e mia,
gjithçka rokullisur.
Në orët e vona,
s’di pse vjen si hije,
murmurimë e erës
më sjell zërin tënd.
Kur ti më afrohesh,
puthja më ndez shije,
dhe kur më largohesh,
shpirti vetëm dhemb. /QendraPress/